Del në pension Llazo Stojani: Një jetë në shërbim të Prespës

Pas dekadash pune të palodhur, pasioni dhe përkushtimi ndaj arsimit, kulturës dhe turizmit në Prespë, Llazo Stojani i thotë lamtumirë detyrës aktive, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet gjatë në historinë e rajonit tonë.

Llazo Stojani është emër që për dekada ka simbolizuar dijen, dashurinë për vendlindjen dhe frymën e bashkimit përmes kulturës e turizmit. Me 39 vite përvojë në arsim si mësues i historisë dhe gjeografisë, ai ka edukuar breza të tërë me ndjenjën e përgjegjësisë, respektin për trashëgiminë dhe dashurinë për tokën e Prespës.

Përtej klasës, Llazo ka qenë gjithmonë udhërrëfyesi më i mirë i Prespës— njohës i çdo rruge, çdo historie e çdo peizazhi. Me një buzëqeshje mikpritëse dhe një pasion të rrallë për zonën e tij, ai ka takuar mijëra turistë ndër vite, duke ua përcjellë me krenari bukuritë e Prespës dhe vlerat e komunitetit tonë.

Në vitin 2015, Llazo Stojani u certifikua si guida zyrtare e Parkut Kombëtar të Prespës dhe Bashkisë Pustec, duke përfaqësuar me dinjitet Prespën përballë vizitorëve nga mbarë Evropa e më gjerë. Ai ka qenë gjithashtu ura lidhëse me shumë agjenci turistike, që falë bashkëpunimit të tij e kanë përfshirë Prespën në itineraret e tyre të udhëtimeve kulturore e natyrore.

I lindur në Pustec në vitin 1960, Llazo e ka pasur Prespën gjithmonë në zemër. Edhe pse për disa vite jetoi në SHBA, dashuria për vendlindjen e ktheu sërish në brigjet e liqenit, për të vazhduar misionin e tij — atë të promovimit të zonës dhe të besimit se turizmi është e ardhmja e Prespës dhe duhet të bëhet pjesë e ekonomisë së çdo familjeje.

Kontributi i tij shtrihet në shumë fusha: si specialist i turizmit në Bashkinë Pustec, drejtor i shkollës “Mitre Kolefski dhe Trajan Gjorgjiofski”, anëtar i Këshillit të Bashkisë nga partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), si dhe drejtues artistik i grupit folklorik “Prespa”, duke ruajtur me përkushtim trashëgiminë kulturore dhe artistike të komunitetit maqedonas.

Dalja në pension e Llazo Stojanit nuk është një mbyllje, por një faqe e re e jetës së tij, e mbushur me kujtime, miqësi dhe mirënjohje. Brezat e Prespës do ta kujtojnë si mësuesin që mbolli dashurinë për dijen, si udhërrëfyesin që e bëri Prespën të njohur dhe si njeriun që jeton me bindjen se dashuria për vendlindjen është forma më e lartë e patriotizmit.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) i uron Llazo Stojanit ditë të lumtura pensioni, shëndet të mirë, gëzim dhe paqe në zemër. Urojmë që vitet t’i shtohen me fat e kënaqësi, ndërsa misioni i tij – dashuria për Prespën, për njerëzit dhe për traditën – të vazhdojë të frymëzojë edhe brezat që vijnë. 

Faleminderit, Llazo Stojani, për gjithçka që bën për Prespën!

Lini një Përgjigje