Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, mori pjesë në Samitin Ndërkombëtar të Paqes të mbajtur në Tiranë, kushtuar temës „Për bashkëjetesën fetare në Shqipëri“.
Në këtë tubim ndërkombëtar, Sterjovski foli si kryetar i AMIE-së dhe përfaqësues politik i komunitetit maqedonas në Shqipëri, duke theksuar se bashkëjetesa fetare përfaqëson një nga vlerat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, e cila duhet të ruhet dhe t’u transmetohet me krenari gjeneratave të ardhshme.
Në fjalën e tij, Sterjovski nënvizoi se Shqipëria përfaqëson një shembull të rëndësishëm të bashkëjetesës midis pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme fetare.
„Këtu, njerëzit e besimeve të ndryshme kanë jetuar krah për krah, kanë ndarë gëzimet dhe vështirësitë, kanë ndërtuar familje, komunitete dhe një shoqëri të përbashkët. Këtu mësuam se diversiteti nuk është kërcënim, por pasuri“, theksoi Sterjovski.
Duke folur për komunitetin maqedonas në Shqipëri, ai vuri në dukje se maqedonasit prej shekujsh jetojnë në harmoni me popullin shqiptar dhe kontribuojnë aktivisht në jetën shoqërore, kulturore, arsimore dhe publike të vendit.
Ai veçoi veçanërisht shembullin e shkrimtarit të madh Sterjo Spasse, me origjinë maqedonase, i cili përmes krijimtarisë së tij ka lënë një gjurmë të rëndësishme në letersinë shqipe.
„Ky është mesazhi që dëshirojmë të përcjellim: identitetet tona nuk duhet të jenë mure që na ndajnë, por ura që na lidhin“, porosit Sterjovski.

Në vijim të fjalës së tij, kryetari i AMIE-së foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së paqes si dhe të bashkëjetesës ndërfetare dhe ndëretnike. Ai theksoi se paqja dhe bashkëjetesa nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, por kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, dialog dhe përgjegjësi.
Sterjovski paralajmëroi se interesat politike, nacionaliste dhe gjeopolitike mund të kontribuojnë në krijimin e mosbesimit midis komuniteteve, duke theksuar se përpjekjeve për instrumentalizimin e identitetit etnik dhe fetar duhet t’u përgjigjemi me dialog, transparencë, respekt dypalësh dhe forcim të institucioneve demokratike.
„Ne besojmë në një Shqipëri ku kisha dhe xhamia nuk shihen si simbole të ndarjes, por si pjesë e një mozaiku të përbashkët shoqëror“, theksoi ai.
Në fjalimin e tij, Sterjovski u ndal edhe në të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian përfaqëson një të ardhme të përbashkët dhe një hapësirë paqjeje, drejtësie, të drejtash njerëzore dhe respekti për diversitetin.
Ai porosit se AMIE mbështet fuqimisht integrimet evropiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe shprehu shpresën se rruga e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, me mbështetjen e partnerëve evropianë dhe amerikanë.
Samiti Ndërkombëtar në Tiranë iu dedikua promovimit të paqes, dialogut ndërfetar dhe respektimit të diversitetit fetar e etnik si bazë për një shoqëri të qëndrueshme dhe demokratike.
