AMIE: Bullgaria po keqpërdor shëndetin e maqedonasve për t’i shpallur ata si bullgarë
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) dënon ashpër aktivitetet më të fundit të autoriteteve bullgare në Pustec, me të cilat, nën petkun e ndihmës mjekësore, po zbatohet përsëri propagandë politike dhe mohim i identitetit maqedonas.
Më 11 dhe 12 shtator, Bullgaria dërgoi një ekip mjekësor nga Sofia në Pustec me një avion transportues ushtarak. Në këtë operacion janë të përfshira ministritë bullgare të punëve të jashtme, shëndetësisë dhe mbrojtjes, ndërsa bashkë me ekipet mjekësore mbërritën edhe deputetë bullgarë nga parti të ndryshme politike.
Pikërisht deklaratat e tyre zbulojnë dimensionin e vërtetë me prapavijë politike të kësaj vizite. Deputetët bullgarë deklaruan publikisht se kur bëhet fjalë për, siç i quajnë ata, „bullgarët“ në Shqipëri, partitë politike bullgare janë të bashkuara.

Pse për kontrolle mjekësore në Pustec nevojitet një avion transportues ushtarak, deputetë bullgarë dhe një delegacion shtetëror nga Sofia?
Kjo nuk i ngjan më një aktiviteti të zakonshëm humanitar mjekësor. Pustecu i ngjan një zone ushtarake, me prani të shtuar policore, me emisarë bullgarë që lëvizin në mënyrë demonstrative nëpër bashki dhe sillen si pushtues të Pustecit, si dhe me flamuj bullgarë të vendosur në ambientet e qendrës mjekësore. Por, Pusteci nuk është Bullgari. Pusteci është në Republikën e Shqipërisë, dhe banorët e tij janë maqedonas, të njohura zyrtarisht edhe nga shteti shqiptar.
AMIE dënon veçanërisht sjelljen e përfaqësuesve bullgarë, të cilët në publik hapazi mohojnë maqedonasit në Pustec dhe i shpallin ata si bullgarë. Asnjë shërbim mjekësor nuk mund të jetë arsyetim për mohimin e identitetit të komunitetit maqedonas. Shëndeti i njerëzve nuk duhet të jetë një instrument për asimilim dhe propagandë politike.
Personeli mjekësor në Pustec fillimisht nuk ka dashur t’i pranojë përfaqësuesit bullgarë, por nën presionin e Drejtorisë Rajonale të Shëndetësisë Korçë u detyrua t’u lirojë ambientet.
Është e turpshme edhe sjellja e Bashkisë Pustec, e cila i ofron mbështetje logjistike përfaqësuesve të një shteti, institucionet e të cilit pretendojnë publikisht se maqedonasit në Pustec janë bullgarë. Në vend që të dalë në mbrojtje të qytetarëve të saj dhe identitetit të tyre, pushteti lokal i pret përfaqësuesit bullgarë me vajza me veshje popullore, bukë e kripë.

Bashkia Pustec është në Republikën e Shqipërisë.
Për çdo nevojë të banorëve të saj – nga investimet dhe infrastruktura, deri te shërbimet shëndetësore dhe sociale – pushteti lokal duhet t’i drejtohet në radhë të parë Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ne jemi qytetarë lojalë të Shqipërisë, respektojmë ligjet e saj dhe paguajmë taksa në këtë shtet. Nuk pranojmë që Pusteci të shndërrohet në një poligon për realizimin e politikave kombëtare të huaja.
Pusteci nuk duhet të jetë skenë e propagandës bullgare. Maqedonasit në Pustec nuk duhet të jenë figurantë në politika kombëtare të huaja.
Fatkeqësisht, mungon një reagim i qartë dhe i vendosur nga institucionet shqiptare, të cilat lejojnë që aktivitete të tilla të zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

AMIE i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të mos lejojë që territori i shtetit dhe institucionet e saj të instrumentalizohen për mohimin e identitetit të komunitetit maqedonas.
Maqedonasit në Pustec nuk janë bullgarë. Pusteci nuk është protektorat bullgar.
Shëndeti ynë nuk është mjet për asimilim.
