Manastiri “Shën Marena” në fshatin Tuminec, Bashkia Pustec, më 29 dhe 30 korrik u mbush me mijëra besimtarë, të cilët erdhën për të kremtuar festën e këtij tempulli të njohur shpirtëror, një nga tubimet më të rëndësishme ortodokse në zonën e Prespës.
Besimtarë nga Prespa, banorë të dikurshëm dhe pasardhësit e tyre, maqedonas nga Korça, Pogradeci, Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë, si dhe shumë mysafirë nga Maqedonia, u mblodhën tradicionalisht në manastir për lutje të përbashkët, bashkim shpirtëror dhe kremtimin e festës së Shën Marenës.

Kremtimet nisën më 29 korrik me shërbesën e mbrëmjes, të cilën e drejtuan priftërinjtë Aleks Themelko dhe Ropi Argjiri. Pas shërbesës u shtrua një darkë e përbashkët, e përgatitur nga kumbarët e festës së manastirit – Spiro dhe Bllagica Mihal, Dean Mihal me familjen dhe Mario Vurmo me familjen. Më pas, në oborrin e manastirit u zhvillua një festë tradicionale popullore, e shoqëruar me këngë dhe valle maqedonase, e cila zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes.
Më 30 korrik u kremtua Liturgjia Hyjnore, e udhëhequr sërish nga dy priftërinjtë, në praninë e një numri të madh besimtarësh. Pas liturgjisë u bë bekimi i ujit të shenjtë, ndërsa atmosfera festive vazhdoi me takime dhe biseda mes të pranishmëve. Veçanërisht i spikatur ishte pjesëmarrja e shumë mërgimtarëve, të cilët, edhe pse jetojnë larg vendlindjes, rikthehen çdo vit në Tuminec për të kremtuar këtë festë të rëndësishme së bashku me familjet dhe bashkëfshatarët e tyre.

Festa e Shën Marenës prej kohësh e ka tejkaluar kuadrin e një ngjarjeje fetare dhe përfaqëson një simbol të lidhjes shpirtërore, të ruajtjes së traditës dhe të forcimit të lidhjeve ndërmjet maqedonasve të Prespës, pavarësisht se ku jetojnë. Ky tubim është një mundësi për t’u ritakuar me të afërmit dhe miqtë, për t’ua përcjellë zakonet brezave të rinj dhe për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe shpirtërore të kësaj treve.
Organizator i kremtimit të festës së manastirit ishte Këshilli i Kishës dhe tradicionalisht me rastin e festës kushtuar Martires së Madhe të Shenjtë Marina – Marena, ishte edhe kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Vasil Sterjovski, i cilë ndezi qiri dhe uroi shëndet, begati dhe unitet.

– Le të jetë sot një ditë e lumtur dhe e përjetshme për ne. Shenjtorja na mbroftë të gjithëve nga e keqja dhe na sjellë shëndet, lumturi, begati, paqe dhe unitet. Maria e Zjarrtë është simbol i besimit, shpresës dhe dashurisë. Le të jetë kjo festë një kujtesë për rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes së ndërsjellë në komunitetin tonë – uroi Sterjovski.

Fshati Tuminec është një nga nëntë vendbanimet e Prespës. Ai shtrihet në brigjet e Liqenit të Prespës, pranë pikës kufitare Stenje – Goricë, ndërsa manastiri “Shën Marena” prej dekadash përfaqëson një nga faltoret më të rëndësishme shpirtërore dhe një nga vendet kryesore të tubimit të maqedonasve të Prespës.
