AMIE u bën thirrje maqedonasve në Shqipëri të deklarohen si maqedonas

Të nderuar bashkëkombës maqedonas në Republikën e Shqipërisë,

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) ju drejtohet me këtë thirrje të hapur dhe të sinqertë, në një moment me rëndësi të veçantë për afirmimin e identitetit, dinjitetit dhe të drejtave tona si komunitet autokton maqedonas në Shqipëri.

Në bazë të ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM-së “Për përcaktimin e kritereve, dokumentacionit dhe procedurave për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare”, çdo qytetar ka të drejtën e patjetërsueshme të vetëidentifikohet lirisht, pa presion dhe pa frikë, si pjesë e një pakice kombëtare të njohur zyrtarisht.

Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt:

  • ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor maqedonas;
  • përmirësimit të përfaqësimit institucional të komunitetit maqedonas;
  • hartimit të politikave shtetërore më të drejta dhe më të përshtatura ndaj nevojave reale të pakicave kombëtare;
  • garantimit të mbështetjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të komunitetit tonë.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian u bën thirrje të gjithë maqedonasve në Shqipëri që të vetëdeklarohen pa hezitim, duke plotësuar formularët përkatës të vetëidentifikimit dhe duke i dërguar me postë pranë Komisionit të ngritur pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas procedurave të përcaktuara.

Dëshirojmë të theksojmë qartë se:

  • procesi bazohet në parimin e vetëidentifikimit të lirë;
  • të dhënat personale mbrohen në përputhje të plotë me legjislacionin për mbrojtjen e privatësisë;
  • nuk ekziston asnjë rrezik apo pasojë negative për qytetarët që deklarojnë përkatësinë e tyre kombëtare.

Vetëdeklarimi nuk është vetëm një e drejtë ligjore, por edhe një akt përgjegjësie qytetare dhe kombëtare, që forcon zërin tonë kolektiv dhe siguron të ardhmen e brezave të ardhshëm.

Së bashku, me guxim, ndërgjegje dhe besim, të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe më demokratike, ku identiteti maqedonas në Shqipëri respektohet, njihet dhe mbështetet.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE)

Lini një Përgjigje