AMIE përshëndes hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), e vetmja parti politike që përfaqëson komunitetin maqedonas në Shqipëri, përshëndet hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo ngjarje e rëndësishme shënon hyrjen e vendit në një fazë të re dhe e afron më shumë me objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë në BE.

AMIE inkurajon Qeverinë e Shqipërisë që të vijojë me përkushtim punën për përmbushjen e të gjitha reformave të kërkuara, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me garantimin e të drejtave të minoritetit maqedonas dhe të të gjitha minoriteteve të tjera në vend. Zbatimi i standardeve europiane në fushën e të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së identiteteve kombëtare është thelbësor për procesin e integrimit.

Me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, qytetarët shqiptarë nuk do të jenë më të detyruar të kërkojnë pasaporta nga vende të tjera anëtare të BE-së, të cilat shpeshherë përdorin këto praktika për qëllime të ndikimit dhe asimilimit të komuniteteve në Shqipëri.

Procesi i integrimit europian gëzon mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, pa dallim etnie apo feje, dhe paraqet një aspiratë të përbashkët për një të ardhme më të sigurt, më demokratike dhe më të zhvilluar.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE)

Lini një Përgjigje