TAKIMI STERJOVSKI – SCHUBERT: FUEN mbetet mbështetës i fuqishëm i maqedonasve në Shqipëri

Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Lirë Evropiane (EFA), që po mbahet në Spanjë, kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Olivia Schubert, kryetare e Unionit Federal të Kombësive Evropiane (FUEN).

Në takim, Sterjovski shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme që FUEN u jep maqedonasve në Shqipëri. Me këtë rast, ai theksoi rëndësinë e shoqatës maqedonase “Ilinden” nga Tirana, e cila si anëtare aktive e kësaj organizate prestigjoze evropiane, me dekada kontribuon aktivisht në luftën për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare në mbarë Evropën.

Gjatë bisedës, Sterjovski e njohu në detaje kryetaren Schubert me pozitën aktuale, sfidat dhe synimet e pakicës maqedonase në Shqipëri, me çka u prezantuan përpjekjet institucionale dhe qytetare për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës maqedonase, kulturës dhe traditës në vend. Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit konfirmuan bashkërisht nevojën për respektimin e qëndrueshëm të të drejtave të pakicave, duke i vlerësuar ato si një themel kyç të demokracisë evropiane.

“Është një nder i veçantë që Olivia Schubert është gruaja e parë kryetare e FUEN-it, një organizatë që përfaqëson një zë të fuqishëm evropian të pakicave kombëtare dhe komuniteteve. Përkushtimi i saj ndaj vlerave të diversitetit, barazisë dhe të drejtave të njeriut është një frymëzim për të gjithë ne që luftojmë për respektimin e të drejtave të pakicave dhe për një Evropë ku çdo popull ka të drejtë të kultivojë dhe shprehë lirisht identitetin e tij”, theksoi Sterjovski pas takimit.

FUEN mbetet një nga organizatat ombrellë më me ndikim në Evropë që bashkon pakicat kombëtare, ndërsa ky takim është edhe një hap tjetër përpara në ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me të drejtat dhe pozitën e maqedonasve në Shqipëri.

Lini një Përgjigje