Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Lirë Evropiane (EFA), u takua me Francesca Romana D’Antuono, politikane italiane dhe bashkëkryetare e Volt Europa, një forcë politike e përfaqësuar në Parlamentin Evropian.
– Gjatë takimit e informova atë për pozitën dhe sfidat me të cilat përballet komuniteti maqedonas në Shqipëri, veçanërisht për presionet dhe përpjekjet për asimilim që vijnë nga ana e Bullgarisë. Theksova se e drejta për vetëvendosje të lirë kombëtare dhe ruajtja e identitetit maqedonas janë vlera themelore evropiane që duhet të respektohen dhe të mbrohen, informoi Sterjovski.
Meqenëse ajo jeton dhe punon në Romë, shton ai, i propozova që të vizitojë maqedonasit nga Shqipëria që jetojnë në Itali, veçanërisht në Romë, dhe të marrë pjesë në ndonjë nga festat dhe tubimet e tyre tradicionale.

Gjithashtu, ai e ka ftuar atë të vizitojë komunitetin maqedonas në Shqipëri për t’u njohur nga afër me “kulturën tonë të pasur, traditën dhe sfidat e përditshme me të cilat përballemi”.
– Besoj se përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë një mbështetje më të fortë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në Evropë, thekson ai.
Sterjovski po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EFA-s që po mbahet në Gandia të Spanjës, ku në rend të ditës është edhe shqyrtimi dhe votimi i një rezolute të dorëzuar nga AMIE për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të maqedonasve në Shqipëri.
AMIE në vitin 2024 u bë anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Lirë Evropiane.
