AMIE uron Ministren Spiropali për detyrën e re

Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) ka përcjellë një letër urimipër Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, me rastin e zgjedhjes së saj në këtë detyrë të lartë shtetërore.

Në letrën e firmosur nga kryetari i partisë, Vasil Sterjovski, theksohet se emërimi i znj. Spiropali është “një vlerësim i madh për punën e saj dhe një përgjegjësi e rëndësishme në udhëheqjen e politikës së jashtme dhe procesit të integrimit europian të vendit”.

Sterjovski nënvizon se komuniteti maqedonas në Shqipëri ka theksuar gjithmonë rëndësinë e përafrimit të standardeve të trajtimit të komunitetit maqedonas në Shqipëri me ato të komunitetit shqiptar në Maqedoni, si një element i domosdoshëm për thellimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Në letër përmendet rëndësia e veçantë e arsimit në gjuhën e minoriteteve, përfaqësimit në jetën publike, përdorimit të gjuhës dhe alfabetit si dhe zhvillimit ekonomik të zonave ku jetojnë minoritetet.

“Jemi të bindur se gjatë mandatit tuaj, Ministria që ju drejtoni do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke ecur paralelisht me respektimin dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve sipas standardeve europiane”, thuhet ndër të tjera në letrën e AMIE.

Lini një Përgjigje