Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) ka uruar Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, për rizgjedhjen e tij në detyrën e lartë si Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë.
Në letrën e urimit të nënshkruar nga kryetari i partisë, Vasil Sterjovski, theksohet se ky është një mandat i ri besimi që qytetarët shqiptarë i kanë dhënë Kryeministrit Rama për të vazhduar udhëheqjen e vendit drejt zhvillimit dhe integrimit europian.
“Komuniteti maqedonas në Shqipëri, si pjesë e pandashme e shoqërisë shqiptare, vlerëson hapat e ndërmarra nga qeveria juaj për avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë edhe minoritetin maqedonas. Jemi të bindur se gjatë mandatit tuaj të ri, ky proces do të thellohet më tej, duke siguruar respektimin dhe përfaqësimin e plotë të minoriteteve në përputhje me standardet europiane,” thuhet në letrën e AMIE-së.
Partia e maqedonasve në Shqipëri shprehet gjithashtu se pret nga qeveria që të vijojë të investojë në zonat ku jeton komuniteti maqedonas, veçanërisht në fushat e infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik, duke përmirësuar jetën e qytetarëve dhe duke ndihmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar maqedonas.

Në përfundim, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian i uron Kryeministrit Rama suksese të mëtejshme në punën e tij për zhvillimin e Shqipërisë dhe forcimin e demokracisë, në rrugën drejtë anëtarësimit në Bashkimin Europian.
