Sterjovski në tryezën e rrumbullakët të OSBE-së: Nevojiten vende të garantuara parlamentare dhe kushte të barabarta zgjedhore për minoritetet

Në Tiranë u zhvillua një tryezë e rrumbullakët kushtuar të drejtave zgjedhore dhe pjesëmarrjes politike të pakicave kombëtare në Shqipëri të organizuar nga misioni i OSBE-së,

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të pakicave kombëtare, si dhe përfaqësues të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Kryetari i Aleancës së Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, në fjalën e tij theksoi se Kodi aktual Zgjedhor nuk siguron mundësi të barabarta për përfaqësimin politik të pakicave kombëtare dhe, sipas tij, përbën një pengesë serioze për hyrjen e tyre në Parlamentin Shqiptar.

“Është e domosdoshme të vendosen vende të garantuara deputetësh ose kuota zgjedhore për pakicat kombëtare, sipas shembullit të shumë vendeve evropiane, me qëllim që të sigurohet përfaqësimi i tyre i vërtetë dhe efektiv politik”, tha Sterjovski.

Ai gjithashtu kërkoi krijimin e një buxheti shtetëror për financimin e fushatave zgjedhore të partive të pakicave kombëtare, duke vënë në dukje se ato ndodhen në një pozitë të pabarabartë në krahasim me partitë e mëdha politike dhe nuk marrin mjete financiare nga shteti për të zhvilluar një fushatë zgjedhore të barabartë.

Përveç kësaj, Sterjovski propozoi që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të sigurojë mjete financiare për mediat e pakicave kombëtare, përmes të cilave do të realizohen fushata informative për procesin zgjedhor në gjuhët e pakicave. Sipas tij, kjo do të kontribuojë në një informim më të mirë dhe në një pjesëmarrje më të lartë të pjesëtarëve të pakicave kombëtare në zgjedhje.

“Është e domosdoshme që përfaqësuesit e pakicave kombëtare të përfshihen si anëtarë në komisionet zgjedhore në të gjitha nivelet, me qëllim që të garantohet transparenca dhe besimi në procesin zgjedhor, si dhe t’u sigurohet atyre qasje e barabartë në media gjatë fushatave zgjedhore”, theksoi ai.

Pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët shkëmbyen mendime dhe përvoja për avancimin e të drejtave zgjedhore të pakicave kombëtare, me çka u nënvizua rëndësia e krijimit të një sistemi zgjedhor më përfshirës që do të mundësojë pjesëmarrje të barabartë politike për të gjithë qytetarët.

Lini një Përgjigje