AMIE informoi udhëheqjen shtetërore shqiptare për suksesin politik në nivel europian, pranimin në EFA

Partia e vetme maqedonase në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, AMIE, pas qëndrimit disa ditor në Bruksel, pranimit si anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Lirë Evropiane, EFA dhe një sërë takimesh e bisedimesh, për këtë hap historik, me një letër informoi kryeministrin Edi Rama, kreu i shtetit Bajram Begaj dhe ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani.

– Në emër të partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, AMIE, me këtë letër dëshirojmë t’ju informojmë për një sukses të rëndësishëm politik në nivel evropian që ka të bëjë me partinë e vetme që përfaqëson maqedonasit në Shqipëri. Më 7 mars 2024, në Asamblenë e Përgjithshme të Aleancës së Lirë Evropiane (EFA) – parti që përfaqëson minoritetet në Parlamentin Evropian – në Bruksel, delegatët votuan njëzëri për pranimin e Aleancës  së Maqedonasve për Integrimin Europian si anëtare me të drejta të plota, thuhet në letrën e AMIE-së.

Vlerësohet se ky hap historik për partinë dhe lëvizjen politike maqedonase, si dhe për maqedonasit në Shqipëri, është një dëshmi e “përkushtimit tonë të palëkundur për demokracinë, të drejtat dhe liritë e komunitetit maqedonas në Shqipëri”.

– Me këtë vendim, ne jemi krenarë që do të vazhdojmë të përfaqësojmë interesat e komunitetit tonë në nivel evropian. Një nga gurët themelorë të misionit tonë është avokimi për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar për të përmbushur dhe tejkaluar standardet euroatlantike në të gjitha aspektet e shoqërisë dhe qeverisjes, thuhet më tej në letrën.

Theksohet vendosmëria për të kontribuuar për një komunitet më të mirë duke “përparuar të drejtat themelore të njeriut dhe duke inkurajuar një shoqëri shqiptare multietnike, multikulturore të bazuar në ligj dhe drejtësi”.

Si anëtarë të Aleancës së Lirë Evropiane, ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në integrimin evropian të vendit tonë. Ne jemi në dispozicion të institucioneve shqiptare për ndihmë duke lobuar te institucionet europiane për hyrjen sa më të shpejtë të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, thuhet në letrën e firmosur nga kryetari i AMIE-së Vasil Sterjovski.

Lini një Përgjigje