Partitë e minoriteteve në Shqipëri kërkuan përfaqësim të garantuar parlamentar dhe financim publik

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane dhe Partia për Evropianizimin e Integrimin e Shqipërisë kanë dorëzuar rekomandime të përbashkëta në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Avokatin e Popullit, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë, me të cilat kërkojnë ndryshime thelbësore në legjislacionin zgjedhor me qëllim sigurimin e një përfaqësimi politik më efektiv të pakicave kombëtare.

Në adresimin e përbashkët, partitë që përfaqësojnë pakicën kombëtare maqedonase, arumune, egjiptiane dhe rome theksojnë se reforma e ardhshme zgjedhore duhet të parashikojë financim publik të fushatave zgjedhore dhe financim të rregullt vjetor të partive politike të pakicave kombëtare. Sipas tyre, një mbështetje e tillë është e nevojshme që këto parti të jenë në gjendje të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në jetën politike dhe në proceset zgjedhore, sepse aktualisht janë në një pozicion të pabarabartë në raport me subjektet e tjera politike.

Në rekomandimet e dorëzuara theksohet gjithashtu nevoja për vendosjen e një përfaqësimi të garantuar parlamentar të pakicave kombëtare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Sipas nënshkruesve, sistemi aktual zgjedhor proporcional rajonal nuk e pasqyron realitetin demografik të pakicave kombëtare, të cilat janë të shpërndara në të gjithë vendin dhe nuk janë të përqendruara në zona të veçanta zgjedhore. Për këtë arsye, sistemi ekzistues praktikisht e bën të pamundur përfaqësimin e tyre efektiv parlamentar.

Partitë kujtojnë se një numër i madh i shteteve evropiane, mes të cilave Kroacia, Sllovenia, Rumania, Hungaria, Gjermania, Polonia, Belgjika dhe Kosova, tashmë kanë vendosur modele të suksesshme për përfaqësimin e garantuar të pakicave kombëtare në parlamente. Këto shembuj, sipas tyre, tregojnë se mekanizma të tillë e forcojnë demokracinë, nxisin përfshirjen politike dhe kontribuojnë në stabilitetin institucional.

Në dokument theksohet se sigurimi i një përfaqësimi efektiv parlamentar të pakicave kombëtare nuk përbën vetëm një çështje të barazisë demokratike, por edhe një detyrim ndërkombëtar që buron nga Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Veçanërisht veçohet Opinioni i Pestë për Shqipërinë, i miratuar në vitin 2023 nga Komiteti Këshillimor i Konventës, në të cilin rekomandohet që Shqipëria të ndërmarrë masa pozitive për të siguruar përfaqësim efektiv të pakicave kombëtare në Parlament.

Nënshkruesit shprehin bindjen se miratimi i këtyre propozimeve do ta afrojë Shqipërinë me standardet më të mira demokratike evropiane në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare dhe do të përfaqësojë një hap të rëndësishëm drejt një demokracie më gjithëpërfshirëse, pluralizmi politik, barazie dhe respektimi të diversitetit kulturor.

Në fund të adresimit të tyre, partitë u bëjnë thirrje institucioneve kompetente dhe partnerëve ndërkombëtarë që t’i shqyrtojnë me seriozitet rekomandimet e tyre gjatë përgatitjes së ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, me qëllim që të sigurohet një pjesëmarrje e vërtetë dhe efektive e pakicave kombëtare në jetën politike të Republikës së Shqipërisë.

Lini një Përgjigje