Endrit Fetahu: Respektimi i të drejtave të minoritetit maqedonas është pjesë e së ardhmes evropiane të Shqipërisë

Në kuadër të Seminarit të 29-të të Grupit të Punës për Minoritetet Sllave në Evropë, organizuar nga Unioni Federal i Kombësive Evropiane (FUEN) në bashkëpunim me Shoqatën Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, u zhvillua panel-diskutimi me temë “Ballkani Perëndimor dhe pakicat e tij kombëtare në rrugën drejt Bashkimit Evropian?”, ku referoi Nënkryetari i partisë Aleanca e  Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Endrit Fetahu.

Gjatë fjalës së tij, Fetahu u ndal te roli i pakicave kombëtare në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se respektimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave përbën një nga parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.

Ai vlerësoi se Republika e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pakicave kombëtare, veçanërisht me miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Megjithatë, sipas tij, mbeten ende sfida të shumta në zbatimin e plotë dhe efektiv të këtyre të drejtave në praktikë.

Fetahu theksoi se minoriteti kombëtar maqedonas në Shqipëri pret përmirësimin e mëtejshëm të mundësive për arsimim në gjuhën amtare, përfaqësim më të madh në institucionet shtetërore, mbështetje për aktivitetet kulturore dhe krijimin e kushteve për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor.

Në përfundim të referimit të tij, Nënkryetari i AMIE-së bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, me qëllim zbatimin e plotë të standardeve evropiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Panel-diskutimi mblodhi përfaqësues të pakicave kombëtare, ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të cilët diskutuan sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen komunitetet pakicë në procesin e integrimit evropian.

Lini një Përgjigje