Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), si partia politike që përfaqëson dhe mbron të drejtat e pakicës kombëtare maqedonase në Republikën e Shqipërisë, i ka paraqitur një kërkesë zyrtare Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Kuvendin e Shqipërisë. Dokumenti, i nënshkruar nga kryetari i partisë, Vasil Sterjovski, shpreh qëndrimin e prerë të komunitetit maqedonas lidhur me organizimin e ri të njësive të vetëqeverisjes vendore.
AMIE kërkon në mënyrë të prerë që Bashkia Pustec të mos preket, të mos shkrihet dhe të mos bashkohet me njësi të tjera administrative në kuadër të reformës së re territorialo-administrative.
Kjo kërkesë mbështetet fort në Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, si dhe në nenin 16 të Ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i cili parashikon se:
“Ndalohet marrja e masave që ndryshojnë përbërjen e popullsisë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të banuara nga personat që u përkasin pakicave kombëtare, me qëllim kufizimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga ky ligj.”
Bashkia Pustec përbën të vetmen njësi administrative në Shqipëri ku pakica kombëtare maqedonase përbën shumicën e popullsisë, prandaj ndryshimi i statusit të saj do të cenonte drejtpërdrejt standardet evropiane për pakicat.
Propozimi i dytë i rëndësishëm i AMIE-s është riemërtimi i kësaj njësie nga Bashkia Pustec në “Bashkia Prespë”.
Ky propozim mbështetet në faktin se Pusteci është vetëm një nga nëntë fshatrat që përbëjnë territorin e bashkisë, ndërsa emërtimi “Prespë” përfaqëson në mënyrë më të plotë identitetin historik, gjeografik, kulturor dhe natyror të të gjithë zonës. Emërtimi “Prespë” përdoret tradicionalisht nga banorët vendas, gëzon njohje të gjerë ndërkombëtare dhe përkon plotësisht me territorin e Parkut Kombëtar të Prespës. Riemërtimi do të ndihmonte në forcimin e identitetit të përbashkët dhe promovimin turistik të rajonit.
“Duke marrë në konsideratë rëndësinë e ruajtjes së identitetit, përfaqësimit dhe të drejtave të pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, kërkojmë që rekomandimet e mësipërme të merren në konsideratë gjatë hartimit të propozimeve për reformën administrativo-territoriale”, përfundon kërkesa zyrtare e AMIE-s e drejtuar nga Vasil Sterjovski.
