AMIE uron Niko Peleshin për zgjedhjen si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) ka uruar z. Niko Peleshin për zgjedhjen e tij në detyrën e lartë si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Në letrën e urimit të nënshkruar nga kryetari i partisë, Vasil Sterjovski, theksohet se kjo zgjedhje është një shenjë besimi të madh që përfaqësuesit e qytetarëve shqiptarë i kanë dhënë Peleshit, si dëshmi e përkushtimit të tij në shërbim të demokracisë dhe forcimit të institucioneve shtetërore.

“Jemi të bindur se në drejtimin tuaj, Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një institucion i hapur, përfaqësues dhe garantues i të drejtave të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie apo besimi,” thuhet në letrën e AMIE-së.

Partia e maqedonasve në Shqipëri thekson se komuniteti maqedonas, si pjesë e barabartë dhe historike e shoqërisë shqiptare, pret që gjatë mandatit të Peleshit të forcohet më tej respektimi i të drejtave të minoriteteve dhe përfshirja e tyre në proceset vendimmarrëse, në frymën e standardeve europiane dhe të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Në përfundim, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian i uron z. Peleshi shëndet, suksese dhe forcë në ushtrimin e detyrës së tij të rëndësishme, me bindjen se puna e tij do të kontribuojë në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e Shqipërisë.

Lini një Përgjigje