Me dhimbje të thellë njoftojmë se sot ndërroi jetë Ramçe Beqiraj, i njohur me emrin artistik Goran Borjan, veprimtar i shquar, pedagog dhe aktivist për të drejtat e maqedonasve në Shqipëri.
I lindur në fshatin Borje, në zonën e Gorës, Ramçe Beqiraj ka diplomuar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në degën gjuhë dhe letërsi. Karrierën e tij ia kushtoi arsimit, duke punuar si mësues në Tiranë. U dallua për profesionalizmin, talentin poetik dhe përkushtimin e tij shumëvjeçar në administrimin e bibliotekës shkollore.

Si kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Arsimit për ZVA Vorë, ai u angazhua me përkushtim për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të mësuesve.
Ramçe Beqiraj ishte thellësisht i lidhur me vendlindjen e tij, zonën e Gorës. Shkroi artikuj të shumtë për pozitën, arsimin, folklorin dhe traditat e maqedonasve në Shqipëri.

Si anëtar i Këshillit Drejtues të partisë Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian (AMIE), dha një kontribut të rëndësishëm në përparimin e të drejtave të maqedonasve në vend.
Varrimi do të bëhet nesër, në orën 17:00, në varrezat e fshatit të tij të lindjes, Borje, Gora.

Përkushtimi i Ramçe Beqirajt për komunitetin maqedonas do të vazhdojë të jetojë në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur dhe respektuar.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij.
