Kimet Fetahu: Të drejtat e pakicave kombëtare duhet të garantohen plotësisht në Shqipëri

Në kuadër të Seminarit të 29-të të Grupit të Punës për Minoritetet Sllave në Evropë, organizuar nga Federal Union of European Nationalities në bashkëpunim me Shoqatën maqedonase Ilinden-Tirana, u zhvillua paneli tematik “Pozicioni i minoritetit kombëtar maqedonas në Republikën e Shqipërisë”, si dhe u hap ekspozita “Arsimi në gjuhën amtare maqedonase në Republikën e Shqipërisë”.

Në panel, referoi Kryetari i Nderit i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Prof. As. Dr. Kimet Fetahu, me temën “Realiteti dhe problematika e minoriteteve në Republikën e Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së tij, Fetahu theksoi se çështja e komuniteteve etnike dhe pakicave kombëtare mbetet një ndër temat më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në Evropën bashkëkohore. Ai vuri në dukje se, megjithëse janë bërë përparime të rëndësishme gjatë dekadave të fundit, pakicat kombëtare në Shqipëri vazhdojnë të përballen me sfida në fushën e arsimit, mediave, përfaqësimit politik dhe mbështetjes institucionale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua respektimit të parimit të vetëdeklarimit të lirë, garantimit të arsimit në gjuhën amtare, sigurimit të aksesit në mediat publike dhe rritjes së përfaqësimit të pakicave kombëtare në institucionet shtetërore dhe në Parlamentin e Shqipërisë.

Fetahu nënvizoi se minoriteti kombëtar maqedonas ka një prani historike dhe një kontribut të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendit, duke theksuar se respektimi i të drejtave të pakicave është një tregues i rëndësishëm i zhvillimit demokratik dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

Në përfundim të referimit të tij, ai bëri thirrje për harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe praktikave institucionale me standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare, me qëllim ndërtimin e një shoqërie vërtet multietnike, multikulturore dhe demokratike.

Lini një Përgjigje