Në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Lirë Evropiane (EFA), që po mbahet në Gandia të Spanjës, kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, zhvilloi një takim me kryetaren e EFA-së, Lorena Lopez de Lacal.
Gjatë pritjes së përzemërt dhe miqësore, Sterjovski shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen e vazhdueshme politike që EFA dhe personalisht kryetarja po japin për AMIE-n dhe maqedonasit në Shqipëri. Në një kohë kur mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve mbetet një nga themelet kryesore të vlerave evropiane, bashkëbiseduesit potencuan se kjo mbështetje ka një rëndësi të jashtëzakonshme për komunitetin maqedonas në përpjekjet e tij të përditshme për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditës.
Si pjesë e familjes së madhe politike evropiane, AMIE e sheh EFA-në si një zë të vërtetë të popujve, rajoneve dhe minoriteteve në Evropë. Në takim u riafirmua miqësia e sinqertë me partnerët që i kuptojnë plotësisht sfidat specifike me të cilat përballen maqedonasit në Shqipëri, me çka u ra dakord që bashkëpunimi të vazhdojë me një përkushtim edhe më të madh.
“Bashkëpunimi ynë vazhdon në frymën e vlerave evropiane, respektit të ndërsjellë dhe luftës së përbashkët për barazi, drejtësi dhe dinjitet për të gjitha komunitetet. Së bashku jemi më të fortë!”, theksoi kryetari i AMIE-së, Vasil Sterjovski, pas takimit me Lopez de Lacal.
Përmes këtij takimi të rëndësishëm në nivelin më të lartë, AMIE edhe një herë i fuqizoi pozicionet e saj brenda Aleancës së Lirë Evropiane, duke siguruar një aleat afatgjatë dhe të fuqishëm në institucionet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të maqedonasve në Shqipëri.
