Kryetari i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Aleancës së Lirë Evropiane (EFA), që po mbahet në Spanjë, zhvilloi një takim të rëndësishëm me eurodeputeten Diana Riba, e cila është njëherësh edhe nënkryetare e grupit parlamentar Të Gjelbërit/EFA në Parlamentin Evropian.
Gjatë bisedimeve, Sterjovski vuri në dukje rëndësinë e aleancës së fuqishme në Bruksel, duke theksuar se mbështetja që komuniteti maqedonas në Shqipëri merr drejtpërdrejt nga grupi parlamentar i EFA-s përbën një nxitje të rëndësishme në përpjekjet e tyre të përditshme për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditës maqedonase. Takimi kaloi në shenjë të riafirmimit të angazhimeve të përbashkëta për të drejtat e minoriteteve dhe avancimin e pozitës së maqedonasve në nivel evropian.

“Më vjen veçanërisht mirë që komuniteti maqedonas në Shqipëri ka miq të sinqertë dhe mbështetës të fuqishëm në Parlamentin Evropian. Shpreh mirënjohje të madhe për Diana Riba-në dhe për të gjithë familjen e EFA-së për solidaritetin e tyre të vazhdueshëm dhe mbështetjen e pakursyer ndaj maqedonasve në Shqipëri”, deklaroi Sterjovski pas takimit.
Përmes këtij takimi, AMIE vazhdon me sukses të shfrytëzojë platformat evropiane për ndërkombëtarizimin e çështjeve të maqedonasve në Shqipëri, duke siguruar aleatë të fuqishëm në organet më të larta legjislative të Bashkimit Evropian.
