Është me rëndësi të jashtëzakonshme që komuniteti maqedonas, ashtu si edhe komunitetet e tjera në Shqipëri, të jenë të përfaqësuara në mënyrë të përshtatshme në radhët e Policisë së Shtetit, deklaroi lideri i partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, në seminarin e organizuar nga Njësia për bashkëpunim kundër diskriminimit pranë Këshillit të Europës, i mbajtur në Durrës, Shqipëri.
Sipas tij, kjo jo vetëm që forcon përfaqësimin, por edhe rrit besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe kontribuon për një shoqëri më të sigurt dhe më gjithëpërfshirëse.

„Në Bashkinë e Pustecit, e cila kryesisht është e banuar nga komuniteti maqedonas, drejtuesi i komisariatit të policisë duhet të jetë nga radhët e komunitetit maqedonas, për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe ndërtim të besimit të ndërsjellë“, theksoi Sterjovski.
Në fjalën e tij ai kujtoi se në fillimet e proceseve demokratike në Shqipëri, pas rënies së regjimit komunist në fillim të viteve ’90, minoritetet shpesh shiheshin si kërcënim për shtetin.
„Në atë periudhë, në kuadër të formimit të policisë dhe ushtrisë kombëtare, të gjithë pjesëtarët e kominitetit maqedonas, ashtu si edhe të komuniteteve të tjera, u përjashtuan nga radhët e forcave të sigurisë. Sot koha ka ndryshuar dhe prandaj është me rëndësi të madhe përfshirja e pjesëtarëve të minoriteteve në radhët e forcave të sigurisë“, tha Sterjovski.

Në seminarin rajonal për përfaqësues të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor dhe vendet Lindore, me temë „Forcimi i reagimit të policisë ndaj urrejtjes mbi baza etnike dhe fetare“, ai mori pjesë me ftesë të Departamentit për anti-diskriminim pranë Këshillit të Europës.
Në seminar u trajtua roli i institucioneve të zbatimit të ligjit në bashkëpunim me grupet vulnerabël dhe komunitetet pakicë, në kuadër të programeve të përbashkëta të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet Lindore, për luftën kundër diskriminimit.
Gjithashtu u diskutua mbi mënyrat e trajtimit të urrejtjes dhe diskriminimit ndaj minoriteteve etnike dhe fetare, duke u fokusuar në strategjitë për parandalimin e krimeve nga urrejtja; ndërtimin e besimit ndërmjet policisë dhe komunitetit; mbledhjen e të dhënave për incidentet e lidhura me urrejtjen, si edhe praktikat e mira nga vende të ndryshme të Europës.
