Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian me vendosmërinë më të madhe i dënon përpjekjet e turpshme dhe agresive të Bullgarisë për të asimiluar Maqedonasit në Shqipëri. Ngjarja e 26 shtatorit 2025, kur në ambulancën shtetërore në Pustec u kryen kontrolle nga mjekë bullgarë me shfaqjen e flamurit bullgar, është një skandal i papranueshëm dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullit maqedonas dhe sovranitetit shtetëror të Shqipërisë.
Bëhet fjalë për një operacion të qartë dhe të organizuar nga Sofja me qëllim që përmes “aksioneve humanitare” të korruptojë dhe mashtrojë popullsinë dhe ta detyrojë të heqë dorë nga identiteti i saj maqedonas. Ky është një shembull klasik i sjelljes koloniale dhe një shkelje e hapur e të drejtave të Maqedonasve në Shqipëri.
AMIE me indinjatë konstaton se heshtja dhe dobësia e disa institucioneve shqiptare vetëm u japin forcë emisarëve bullgarë të vazhdojnë politikën e tyre të kërcënimeve, shantazheve dhe asimilimit. Kjo është tradhti ndaj qytetarëve të vet – Maqedonasve, të cilët prej shekujsh jetojnë në tokën e tyre dhe nuk janë objekt për pazare me Sofjen.
Ne e paralajmërojmë shtetin bullgar se Maqedonasit në Shqipëri kurrë nuk do të heqin dorë nga identiteti i tyre dhe se të gjitha këto përpjekje primitive për asimilim janë të dënuara paraprakisht me dështim. Maqedonasit nuk janë monedhë për pazare dhe as pengje të lojërave politike të kujtdo!
I bëjmë thirrje institucioneve shqiptare dhe Bashkimit Europian të reagojnë menjëherë dhe të ndalojnë së toleruari provokime të tilla të hapura, sepse çdo mosreagim do të thotë bashkëpërgjegjësi në fshirjen e popullit maqedonas në Shqipëri.
Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian do të vazhdojë pa kompromis luftën kundër manipulimeve dhe agresionit bullgar dhe do të mbetet zëri i të gjithë Maqedonasve në Shqipëri.
